Shtyhet seanca ndaj ish-kryebashkiakut të Shkodrës, Spahia me probleme shëndetësore

Seanca gjyqësore ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Bardh Spahia, e planifikuar të zhvillohej në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), është shtyrë për shkak të mungesës së të pandehurit.

Sipas avokatit mbrojtës, Spahia ndodhet në pamundësi për të marrë pjesë në seancë, pasi prej një muaji ka thyer këmbën dhe, sipas rekomandimeve mjekësore, nuk mund të lëvizë.

Megjithatë, pas shqyrtimit të dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga mbrojtja, prokurorja e SPAK, Dorina Bejko, vuri në dukje se mjekët kanë rekomanduar që Spahia mund të lëvizë me ndihmën e patericave.

Për këtë arsye, ajo kërkoi kohë për marrjen e masave të nevojshme që të sigurohet prania fizike e të pandehurit në seancën e ardhshme.

Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 10 tetor, ku pritet që Bardh Spahia të jetë i pranishëm dhe të merret në pyetje.

Deputeti demokrat akuzohet për pengim të ekzekutimit të vendimit të gjykatës, gjatë kohës kur ishte kryetar i Bashkisë Shkodër.

Sipas dosjes hetimore, ai nuk ka zbatuar një vendim gjykate që urdhëronte rikthimin në detyrë të drejtorit të Ujësjellësit, të cilin e kishte shkarkuar në mënyrë të paligjshme.

Të Fundit