Është shtyrë sërish seanca gjyqësore kundër ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, në Gjykatën e Posaçme të Apelit.
Gjyqtari i ri i çështjes Florian Kalaja ka kërkuar kohë për t’u njohur me çështjen. Kujtojmë se gjyqtarët e caktuar me short më herët kanë dhënë dorëheqjen nga kjo çështje. Mësohet se seanca e radhës do të zhvillohet në 17 Janar në orën 11:00.
Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale, “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”.
Më 25 Nëntor dosja ndaj ish-ministrit dhe ish-zyrtarit, u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Gjykata e Lartë mori vendimin më 28 Shtator për të rikthyer çështjen për Tahirin në apelin e GJKKO me trupë tjetër gjykuese, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për rigjykim në shkallë të parë.