Shtyhet gjyqi për Veliajn/ Ajola Xoxa mungon në gjykatë, avokati: E ka të pamundur, është shtatzanë

Sot në 9 mars, në orën 09:30, u mbajt seanca e parë në themel e procesit gjyqësor që përfshin Erion Veliaj, kryebashkiakun e Tiranës, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, dhe një grup prej 28 personash dhe kompanish të përfshira në të njëjtën çështje penale. Seancën e drejtoi gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa dy relatorët e çështjes ishin Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj.

Në procesin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të bashkëpandehurve të tjerë, në sallë ishte prokurori Ols Dado, por nuk është i pranishëm prokurori tjetër Altin Dumani. Në GJKKO u paraqit dhe Elman Abule, i cili akuzohet për pastrim parash. Seanca u shty për në datë 24 mars, ora 14:30 minuta.

Çfarë ndodhi në seancë?

Në sallë nuk ishte i pranishëm kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, as bashkëshortja e tij Ajola Xoxa.

Gjykata konstatoi se i pandehuri Erjon Veliaj, me shkresë nga burgjet është njoftuar për datën e sancës. Por, Veliaj ka depozituar një deklaratë, ku theksonte se nuk do të paraqitej në seancën gjyqësore, pasi nuk ka seancë paraprake. Po ashtu, Veliaj nuk ka cituar as emrin e një avokati. Gjykata ka lajmëruar avokatin Ermir Beta, i cili ka kthyer përgjigjie se nuk perfaqëson më Veliajn. Po ashtu edhe avokati Artan Gjermeni ka deklaruar se nuk është më avokat i Veliajt, sepse kryebashkiaku e ka revokuar.

Po ashtu në sallë ishte avokatja Valentina Teodoresku. Avokatja e Veliajt, Teoderesku u shpreh në gjykatë se Veliaj ka të drejtë të mos jetë i pranishëm. Sipas saj, kryebashkiaku i Tiranës nuk ishte njohur me dosjen. “I pandehuri i mbrojtur prej meje ka të drejtë në atë që thotë, pasi nuk është njohur me aktet dhe për këtë arsye ai ka të drejtë, se nuk është zhvilluar një seancë paraprake. Edhe sot unë po bëj të njëjtën kërkesë, që t’i jepen të gjitha aktet, që ai të njihet me dosjen. Nuk kemi pasur mundësi që të njohim dosjen, pasi kur unë vajta, ai ishte i sëmurë. Ai kërkon të gjithë fashikujt, 61 mijë faqe, aq sa janë”, tha ajo.

Edhe pse e pandehura Ajola Xoxa ka marrë dijeni për seancën e sotme, nuk është paraqitur. Por, janë paraqitur avokatët Maksim Haxhia dhe Dritan Jahaj. Avokati Maksim Haxhia theksoi se klientja e tij ishte në pamundësi për t’u paraqitur, pasi ajo ishte shtatzënë dhe ja ka ndaluar mjeku, që ajo të paraqitet për momentin në këtë seancë.

Gjykata pranoi kërkesën e Veliajt, do i vërë në dispozicion aktet hetimore

Trupa legjitimoi avokaten kryesisht Valentina Teodoresku, që të pandehurit Erion Veliaj t’i vihen në dispozicion të gjitha aktet hetimore. Gjykata, siç rezulton nga process-verbalet paraprake, tha se i pandehuri Veliaj duhet të njihet me aktet e dosjes hetimore.

Trupa gjykuese vlerëson se duhet t’i vërë në dispozicion të pandehurit të gjithë fashikujt e hetimit. Sa i takon mënyrës, kur ai ndodhet në kushte paraburgimi, dorëzimi i akteve duhet t’i bëhet nga një prej oficerëve të BKH-së pranë SPAK, i cili është edhe oficeri që ka hetuar çështjen. Kërkesa duhet përcjellë brenda një afati te shkurtër kohor, kur të bëhen gati të gjitha aktet dhe t’i përcillen Veliajt në ambientet e Burgut të Durrësit. Bashkëlidhur do të jetë edhe vendimi i gjykatës.

Shoqëritë dhe të pandehurit

Për shoqërinë Rametal Shpk, mbrojti interesat avokatja Romina Zano.

I pandehuri Gentian Sula nuk ishte i pranishëm në sallën e gjykimit, në sallë nuk ishte as avokati Artan Zeneli. Ky i fundit theksoi se nuk paraqitej dot se ndodhet jashë vendit, as për Shoqërin Agikons nuk kishte avokat, pasi përfaqësohej nga Artan Zeneli, që ndodhet jashë vendit.

I pandehuri Meriman Palushi nuk ishte i pranishëm, por ishte e pranishme avokatja Alketa Nushi. Avokatja tha se i mbrojturi prej saj është në pamundesi për të ardhur. Shoqëria Palushi Shpk, mbrohej nga Avokati Ivi Rrokaj, që ishte i pranishëm.

I pandehuri Fatmir Bektashi nuk ishte i pranishëm në seancë e u mbrojt nga avokati Sokol Hazizaj, avokati përfaqësoi edhe shoqërinë Kontakt. Avokati ishte i pranishëm dhe mori përsipër mbrojtjen. Bektashi nuk ishte paraqitur sepse kishte probleme shëndetësore.

I pandehuri Sokol Kryeziu nuk ishte e pranishme në sallë, u mbrojt nga avokati Klodian Skënderaj. Shoqëria Gerard shpk, u mbrojt nga avokati Ivi Rrokaj që mori përsipër mbrojten.

I pandehuri Shkëlqim Fushaj nuk ishte i pranishëm, u mbrojt nga avokati Ilir Dode.

Për shoqërinë fusha Shpk. U mbrojt nga avokati Ulian Bajramaj dhe nuk ishte i pranishëm. AI kërkoi shtyrje të seancës. Avokati theksoi se ndodhej në një seancë tjetër në Gjykatën e Vlorës.

I pandehuri Mirton Lika ishte i pranishëm në sallën e gjykimit.

Çështja u dërgua për gjykim nga Gjykata e Posaçme më 9 shkurt, pas hetimeve të kryera nga SPAK. Veliaj ndodhet në arrest me burg që nga 10 shkurt 2025. Sipas SPAK, procesi u vonua disa muaj për shkak të kërkesës formale që vetëm pesë muaj më parë u dorëzua për kalimin e dosjes në gjykim.

Prokuroria ka ngritur 13 akuza ndaj Erion Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

Personat e tjerë të akuzuar përfshijnë biznesmenë të ndryshëm, të cilët sipas prokurorisë kanë kryer korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, si dhe fshehje dhe pastrim të të ardhurave të paligjshme.

Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që kanë penguar zbardhjen e së vërtetës, ndërsa F.B., gardiani i burgut të Durrësit, akuzohet për dhënie të telefonit Veliajt gjatë transferimeve drejt gjykatës, duke u përballur me akuzën për futje dhe mbajtje të sendeve të ndaluara brenda institucionit të burgut.

Të Fundit