Edhe pse jemi në stinën e verës virozat vazhdojnë të jenë ende në qarkullim. Grupmoshat më të prekura janë fëmijët, por në qendrat shëndetësore ka jo pak raste pacientësh të rritur që paraqiten me simptoma.
Mjekja pediatre Sonila Brati thotë se janë shtuar rastet me intoksikim. “Vazhdojmë të jemi në një situatë me viroza tek fëmijët”, tha ajo.
Mjekja Brati thotë se qarkullon ende një variant i Covid, prej pothuajse tri javësh.
“Rasti në Covid ka që nga fundi i muajit qershor. Nuk janë në forma agresive, por ka pasur raste”, shton ajo.
Ndërsa jep këshilla, mjekja Brati rekomandon disa nga medikamentet që nuk duhet të mungojnë në valixhe kur nisemi për pushime.
“Një ulës temperature, një medikament për qetësimin e dhimbjeve të veshit, antialergjik apo ndonjë krem për mbrojtjen nga dielli. Fëmijët të mos ekspozohen në pikun e vapës dhe duhet të konsumojnë sa më shumë lëngje apo frutave”, tha mjekja.
Në raste përkeqësimi rekomandohet drejtimi tek mjeku, ndërsa qendrat shëndetësore verore janë të hapura në 34 pika turistike në të gjithë vendin dhe që ofrojnë shërbim 24 orë çdo ditë të javës.