Gjermani – Kreu i qeverisë, Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së “Herrenchiemsee Festspiele”, në Bavari, ku çdo vit një i ftuar adreson temën e Europës.
Në këtë event kulturor me rëndësi ndërkombëtare, Rama mbajti një fjalim reflektues mbi vlerat europiane, rolin e artit dhe kulturës si ura bashkimi, si dhe mbi vendin që zë Shqipëria në këtë trashëgimi shpirtërore dhe historike. Ai theksoi se Europa nuk është thjesht një strukturë politike apo ekonomike, por një civilizim që ndërtohet përmes ndjeshmërisë, bukurisë dhe krijimit.
Edi Rama: Të gjendesh këtu, nën harqet e një pallati që lindi jo nga politika, por nga një ëndërr, një ëndërr për bukurinë, vetminë dhe përtejshmërinë, do të thotë të ndjesh diçka më të madhe se arkitektuara. Do të thotë të përqafosh një ide që është bërë e përjetshme. Dhe të ftohesh këtu, përpara jush, nuk është thjesht nder, është një privilegj që do ta mbart me vete për gjithë jetën. Ja ku jemi sot, në një kohë kur Evropa, shtëpia jonë e përbashkët, gjendet e rrethuar nga oshëtima e armëve, frika e copëtimit dhe tundimi për ta harruar atë që na mban të lidhur bashkë. Evropa nuk ka qenë kurrë një trakat ose një monedhë, as thjesht një parlament ose një treg.
Evropa ka qenë dhe mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën, një mënyrë për të besuar se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks po një mënyrë të jetuari. Ky festival në sfidën e tij të heshtur, është një mbledhje rezistence. Rezistencë ndaj cinizmit që e mpak Evropën veç në burokraci. Rezistencë ndaj dëshpërimit që e sheh kulurën si dekor. Ne në Shqipëri e dimë se ç’tingull ka heshtja. Për dekada të tëra jetuam pas perdes së hekurt që e ndërtuam vetë. E megjithatë edhe atëherë muzika e gjente rrugën e saj. Një kasetë e hyrë kontrabandë, një partiturë e ndaluar, një kujtim nga një koncert përpara se të ngriheshin muret. Sot muzikantët shqiptarë studiojnë në Mynih dhe Berlin muzikantët gjermanë performojnë në Tiranë. Kjo nuk është rastësi. Kjo është Evropa që bën atë për të cilën është krijuar, të bashkojë përmes krijimit, të lartësojë përmes shkëmbimit.