Mira Murati, një nga figurat më të shquara në fushën e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, është tashmë zyrtarisht mes 50 grave më të pushtetshme në botë, sipas listës më të fundit të publikuar nga revista prestigjioze Fortune.
Në renditjen e kaluar ajo pozicionohej në vendin e 57-të, por këtë vit ka shënuar një ngjitje domethënëse, duke u renditur në vendin e 47.
Ky progres reflekton jo vetëm ndikimin e saj të vazhdueshëm në industrinë globale të teknologjisë, por edhe fuqinë dhe vizionin që ajo përfaqëson si një lidere inovative.
Mira Murati, ish-drejtoreshë teknologjike e OpenAI, dha dorëheqjen në shtator 2024. Ajo ishte truri pas revolucionit të ChatGPT, modelit që ndryshoi tërësisht peizazhin e Inteligjencës Artificiale.
Gjashtë muaj më pas, Murati prezantoi Thinking Machines Lab, një startup inovativ në fushën e IA-së që ka krijuar shumë zhurmë, megjithëse ende operon në fshehtësi”
“Ndikimi i 36-vjeçares është i qartë: në mesin e majit ajo ishte pranë sigurimit të një investimi prej 2 miliardë dollarësh”, shkruan revista.
Thinking Machines Lab, ku aktualisht Mira Murati shërben si CEO, është vlerësuar me një vlerë të mundshme prej 10 miliardë dollarësh, duke e bërë atë një nga startup-et më të vlefshme në fushën e AI-së.