Avokati mbrojtës i Pandeli Nakolecit, 40-vjeçarit shqiptar i cili vrau gruan e tij 36-vjeçare pas një konflikti të rëndë mes tyre, ka folur për mediat greke. Avokati Vasilis Noulezas, është shprehur fillimisht se Nakoleci është penduar dhe ndihet “i shkatërruar” për krimin e bërë ndaj nënës së fëmijëve të tij.
“Ai është padyshim i penduar… i penduar dhe i shkatërruar, sepse vrau me duart e tij një grua që e donte dhe me të krijoi një familje, me të cilën solli në këtë botë katër fëmijët”, tha avokati, siç raporton media greke taxydromos.gr.
Por, Nakoleci, në momentin që u arrestua nuk shprehu pendesë, pasi u shpreh “mirë ia bëra, po më tradhtonte.” Për këtë deklaratë, avokati i 40-vjeçarit tha se ky krim brenda familjes erdhi si pasojë e “sjelljes provokuese të gruas së tij”.
“Ndoshta sjellja provokuese e 36-vjeçares, ndoshta partneri i ri në jetën e saj e zemëroi atë duke bërë që të humbte durimin. Ky nuk është justifikim për marrjen e jetës njerëzore, ai e kreu këtë krim të tmerrshëm dhe të shëmtuar”, shtoi më tej mbrojtësi i 40-vjeçarit.
Por, si duhet të kishte reaguar Pandeli Nakoleci? Me qetësi dhe pa përdorur dhunë, sqaron avokati.
“Unë si person jam vërtet i tronditur dhe i shkatërruar. Ai duhej të kishte treguar qetësi. Nëse ishte e nevojshme, të kishte kthyer një faqe tjetër në jetën e tij, pa iu drejtuar dhunës”, tha avokati Noulezas.