Shkëlqim Rusi, vëllai i të burgosurit shqiptar që u var me lidhësen e këpucëve në furgonin e policisë greke ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë, ndërsa ka hedhur akuza në drejtim të autoriteteve të burgut. Rusi në një prononcim për mediat shqiptare tha se kishte vetëm 3 orë që kishte folur me vëllain e tij para se të ndodhte ngjarja.
Sipas vëllait të viktimës, në lidhje me ngjarjen në fjalë i ishin dhënë disa versione, të cilat ai nuk i beson, ndërsa ka hedhur akuza në drejtim të gardianëve të burgut. Ai tha se kanë qenë pikëriasht ata që e kanë vrarë, ndërsa kërkoi që trupit të pajetë të të vëllait t’i bëhet autopsia.
“Unë kisha folur 3 orë para ngjarjes me vëllanë në mënyrë private, më pas më mori në telefon drejtori i burgut dhe më tha se ‘e kemi dërguar në spital për vizitë mjekësore rutinë’. Pastaj më thanë që kishte pirë klorinë dhe pas kthimit nga spitali ‘vari veten me lidhësen e këpucëve’. Kjo për mua është e pa pranueshme është vrasje. Vëllai kishte edhe 2-3 muaj burg që të mbaronte dënimin. Ai ka folur me të gjithë njerëzit dhe askush nuk e beson që është vetëvrasje. Atë e kanë vrarë gardianët ata që e kanë shoqëruar.
Ngjarja ka ndodhur në makinën e policisë, sepse ata thanë që ishte vetëvarur në kangjelen e furgonit, kjo është e papranueshme, nuk lejohet shoqërimi i të burgosurit me rrip apo lidhëse për më tepër je me pranga dhe i shoqëruar. Kjo është një përrallë, që thonë autoritetet greke. Ne kërkojmë që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri, pasi presim të vijë këto ditë. Të bëhet autopsia pasi shteti jonë vetëm fle gjumë, janë vrarë shumë shqiptarë atje, pas vëllait tim mund ta ketë radhën dikush tjetër dhe nuk është zbardhur asgjë.
Kemi shkuar në prokurorinë tonë dhe më kabëll thënë që nuk kemi akses për hetime. Askush se merr përsipër, nuk duan belara, nuk di ç’të them. Ne duam të bëhet autopsia dhe të dalë e vërteta. Vëllai nuk ka pasur asnjë problem me shëndetin mendor. Të varesh në furgon të policisë i shoqëruar nga gardianët nuk e beson asnjë fëmijë. Kërkojmë të zbardhet e vërteta.”, tha vëllai.