Një shqiptar i dënuar për trafik droge ndodhet në arrati prej më shumë se një viti pasi lirua gabimisht nga një burg në Britani. Mësohet se ai ishte dënuar për veprën penale të posedimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të klasës B. Ai u lirua gabimisht nga autoritetet në gusht të vitit 2024 ndërsa identiteti i tij nuk është bërë i ditur.
Sipas raportimeve, ai është njëri nga tre të burgosur që janë liruar aksidentalisht dhe që ende ndodhen në arrati. Dy të tjerët janë shtetas britanikë, njëri i dënuar për grabitje të rëndë dhe tjetri për mosparaqitje në polici.
Rasti është bërë publik në kohën kur sekretari britanik i Drejtësisë, David Lammy është përballur me pyetje të shumta në Parlament, pas zbulimeve se 353 të burgosur janë liruar gabimisht midis 1 prillit 2024 dhe 31 tetorit 2025. Mësohet se të liruarit janë të dënuar për krime seksuale ose të dhunshme.
“Sapo jam informuar se Shërbimi i Burgjeve dhe Provës po heton një rast tjetër të mundshëm të lirimit gabim më 3 nëntor, dhe personi mund të jetë ende në arrati”, tha Lammy para deputetëve.
Lammy pranoi se sistemi aktual, i cili ende bazohet në dokumente të shkruara me dorë dhe llogaritje manuale të datave të lirimit, është kaotik dhe i dështuar, duke shtuar se autoritetet shpesh nuk dinë nëse një i burgosur është liruar me vendim të ligjshëm apo gabimisht.
Lammy njoftoi investim prej 10 milionë eurosh për të digjitalizuar sistemin e lirimit të të burgosurve, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) për të zëvendësuar proceset me dokumente fizike dhe për të përmirësuar kontrollin mbi urdhër-arrestet dhe të dënuarit.



