Shqiptarët po lindin gjithnjë e më pak. Kostot e jetës që janë gjithnjë në rritje po vendosin në dilemë çiftet e rinj, nëse duhet apo jo të sjellin në jetë një fëmijë.
Ambra është nënë e dy fëmijëve, një 6-vjeçar dhe një 1-vjeçar. Ajo rrëfen se kostot e shtatzënisë fillojnë që ditën kur mëson se është shtatzënë.
“Për mua, kostot e shtatzënisë shkuan deri në 1 milion lekë të vjetra”, thotë Ambra Uka, nënë e dy fëmijëve.
Për të ndihmuar çiftet e reja, që prej vitit 2019, qeveria ka përcaktuar një masë financiare: 40,000 lekë për lindjen e parë, 80,000 lekë për fëmijën e dytë, dhe 120,000 lekë për fëmijën e tretë. Por, çfarë mund të bëjnë prindërit me këto para?
“Kam bërë një zgjidhje të mesme për pjesën e karrocës, që kushtoi 800,000 lekë, krevati 400,000 lekë, dhe valixhja e maternitetit (ku përfshihen pampers, letra të lagura, biberoni, një kuti qumësht për ditët e para, dhe veshjet) ka një kosto prej 200,000 lekësh. Unë kam fëmijën e dytë dhe kam marrë 800,000 lekë, por praktikisht kam blerë vetëm karrocën”, thotë Ambra Uka, nënë e dy fëmijëve.
Në vitin 2024, 24,061 foshnja kanë ardhur në jetë dhe kanë përfituar bonusin e bebes. Sipas sociologes Entela Binjaku, kjo masë financiare nuk është e mjaftueshme për të rritur lindshmërinë.
“Rënia e lindshmërisë ka ndikim të drejtpërdrejtë në plakjen e popullsisë. Masa të tilla si mbështetje financiare për çiftet e reja, për të rinjtë gjatë viteve universitare, subvencione për ushqimet e bebeve deri në vitin e parë të jetës, dhe sidomos për familjet me shumë fëmijë, janë të nevojshme”, thotë sociologia Entela Binjaku.
Shqipëria renditet ndër vendet me lindshmërinë në rënie drastike, që aktualisht është 1,61 fëmijë për grua. Për të stimuluar lindjet dhe për të lehtësuar çiftet, qeveria ka miratuar në buxhetin e vitit 2025 një fond prej 2.2 miliardë lekësh për Programin e Bonusit të Bebes, i cili do të përdoret vetëm për fëmijët që janë banorë të Shqipërisë, duke përjashtuar kështu fëmijët e emigrantëve.