Shqiptarët kanë blerë 3 miliardë euro pasuri të patundshme gjatë vitit të shkuar.
Të dhëna zyrtare ekskluzive për Euronews Albania tregojnë se 1/5 e prodhimit kombëtar të vendit është përqendruar në sektorin e shit-blerjeve të pasurive të patundshme.
Edhe pse tregu i investimit në ndërtim është rritur në shifra të tilla, financimi i blerjes së shtëpive përmes kredive bankare gjatë vitit të shkuar është bërë vetëm në 30% të rasteve, pjesa tjetër rezulton të jetë në formën e “cash”-it ose kursimeve bankare.
Tregu i pasurive të patundshme është pompuar shumë vitet e fundit si në anën e ofertës edhe në atë të kërkesës. Shohim shumë të mëdha parash që janë investuar në ndërtim të cilat vijnë nga burime jo formale.
Për ekspertin Zef Preçi, rritja e parave ‘cash’ në blerjen e pronave ka sjellë një tendencë të re sociale: pasuritë nuk po blihen nga shtresa e mesme dhe intelektualët, por zyrtarët e korruptuar dhe grupet kriminale.
“Nuk janë më blerës shtresa e mesme dhe ata që kursejnë, por zyrtarë që përfitojnë, një pjesë e korruptuar e tyre, bizneset që kanë pasur rritje dhe pjesa më e rëndësishme janë pjesëtarët e aktiviteteve kriminale”, thotë Zef Preçi, drejtor i qendrës për kërkime ekonomike.
Flukset e parave ‘cash’ që qarkullojnë në ekonominë shqiptare arritën në 3 miliardë euro në fund të prillit të këtij viti duke pësuar një rritje me bazë vjetore në nivelin e 130 milionë eurove./EuronewsAlbania