Pirro Dhima mbushi 50 vjeç më 13 tetor dhe media greke i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme datëlindjes jubilare të himarjotit.
Në një rrëfim për të përditshmen “gazzetta.gr” shtangisti ka rrëfyer se si ka ikur nga Tirana me taksi drejt Athinës, pasaportën greke që ia dorëzuan në avion dhe lejen që mori nga Federata shqiptare për të garuar me flamurin grek. Pirro Dhima ka kaluar gjysmën e jetës duke u stërvitur.
Ai kapërceu shumë pengesa për t’u bërë atleti që theu rekorde. Iu desh të sfidonte edhe vështirësi të mëdha në jetën personale sepse gjatë rrugës hasi shumë pengesa, lëndime, hidhërime dhe humbje. Sidoqoftë, ai kurrë nuk u dorëzua. Ai arriti të bëjë gjëra që 99% e atletëve në të gjitha sportet as nuk guxuan t’i ëndërrojnë.
Nëse flasim për sukseset në peshëngritje, në fund të fundit, debati do të jetë “Dhima ose Suleimanoglou”.
Pirro, atleti më i suksesshëm grek në histori me 4 medalje olimpike (3 ari, një bronz), 6 ari në kampionatin botëror dhe tri në Europian (gjithsej 26 medalje në tri evenimentet), si dhe disa rekorde botërore (vetëm tri në Atlanta në 1996).
NGA TIRANA ME TAKSI
“Hipa në një taksi për të ardhur nga Tirana në Athinë”, thotë Dhima. Udhëtimi i tij në Greqi më 7 shkurt 1991 ishte aventuresk.
Dhe kjo, sepse u nis në 1 të mëngjesit nga Tirana me një taksi për të mbërritur në Athinë pas afro 14 orësh. “Ishte shkurti i ’91-shit kur hipa në një taksi për të ardhur nga Tirana në Athinë. Isha gati të fluturoja, por fluturimi u anulua. Mora një taksi për në Kakavijë dhe prej andej një taksi tjetër që Zguro kishte dërguar për të më çuar në Athinë.
Sigurisht, kisha qenë edhe më parë në Greqi, por më pas u vendosa në një studio të Nea Smyrnit. Kur erdhën prindërit e mi morëm apartamentin në Solonos, që në fakt ishte një gjysmë bodrum”, kujton Pirro Dhima.
PASAPORTA NË AVION NGA MITSOTAQIS
“Pasaportën ma solli shoferi i Mitsotaqis”, shpjegon Dhima. Edhe pasi mbërriti në Greqi, derisa hipi në aeroplan për në Barcelonë nuk e dinte nëse do të ishte në gjendje të garonte për Greqinë.
Kjo sepse ai e mori pasaportën në minutën e fundit. Dhe ai moment i është ngulitur në kujtesë… “ Për të qenë në gjendje të garoja në Barcelonë, së pari më duhej të kualifikohesha. Federata e Shqipërisë më kishte dhënë leje për t’u transferuar në Greqi.
Unë shkova të konkurroja me një pasaportë diplomatike dhe mora kualifikimin, por nuk kisha pasaportën greke.
E mora pasaportën greke në minutën e fundit, pak para se të hipja në avionin me të cilin do të udhëtoja drejt Barcelonës. Aty erdhi shoferi i Mitsotaqis dhe më dha dokumentin personalisht”, deklaroi Dhima.