Shqipëria ka humbur me rezultatin 2-1 ndeshjen e parë të grupit në “Euro 2024”, ndaj Italisë, por duke arritur të shkruajë historinë e këtij turneu madhor.
Pas vetëm 23 sekondash lojë, Nedim Bajrami kaloi në avantazh kuqezinjtë, duke përfituar nga një gabim i Dimarcos. Mesfushori ynë goditi fort me të djathtën brenda zonës duke mposhtur Donarummën dhe duke i dhënë avantazhin tanëve që në minutën e parë të lojës. Ky ishte goli më i shpejtë në historinë e Evropianit.
Por, reagimi italian ishte i furishëm, me dy gola brenda 5 minutash (11’ dhe 16’), me autorë mbrojtësin Bastoni dhe mesfushorin Barella.
Në pjesën e dytë, Kombëtarja mund të kishte barazuar në minutën e fundit të ndeshjes, por goditja e Manajt u prek mjaftueshëm nga Donnarumma, sa për ta dërguar topin jashtë rrezes së portës.
Ndeshja e radhës e Shqipërisë është ajo me Kroacinë, në 19 qershor, në orën 15:00.