Shqipëria merr 64.5 milionë euro parafinancim, Gonzato: Nxit sundimin e ligjit

Shqipëria ka marrë një financim paraprak prej 64.5 milionë eurosh në kuadër të Mekanizmit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ky financim është pjesë e Planit të Rritjes, i cili synon përshpejtimin e konvergjencës socio-ekonomike të rajonit me Bashkimin Evropian dhe hapjen e mundësisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

“Shqipëria sapo ka marrë 64.5 milionë euro parafinancim sipas Planit të Rritjes së BE-së 🇪🇺 për Ballkanin Perëndimor. Kjo pagesë e parë mbështet reformat dhe investimet e Shqipërisë për të forcuar vendin dhe për ta afruar atë me Bashkimin Evropian”, thuhet në postimin.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, e ka përshëndetur këtë financim, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit.

“Urime Shqipërisë për arritjen e një tjetër momenti të rëndësishëm në rrugëtimin e saj për anëtarësim në BE. Plani i Rritjes nxit ekonominë, forcon sundimin e ligjit, mbështet një Shqipëri më të gjelbër dhe fuqizon kapitalin njerëzor. BE qëndron me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit!” – theksoi Gonzato.

Sipas Delegacionit të BE-së, Shqipëria mund të marrë deri në 922.1 milionë euro deri në vitin 2027.

Të Fundit