Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka konfirmuar se qeveria do të kalojë në këtë sesion parlamentar ligjin e shumë kritikuar nga opozita por edhe faktori ndërkombëtar, për Amnistinë Fiskale deri në vlerën 2 milionë euro.
Sipas Ballës kritikat janë të kota, pasi ky ligj do jetë garanti i ligjësimit të parave të padeklaruara, që siç ai vetë e pranoi në Shqipëri janë me shumicë.
“Ne do ta sjellim ligjin për Amnistinë Fiskale, jemi të bindur që është një domosdoshmëri në këtë kontekst të ri ekonomik të vendit dhe për të gjithë ata që kanë spekuluar për nismën, që sipas jush i hapka rrugën legalizimit të parave të krimit. Ne themi se është ligji që propozojmë garanti për ligjësimin e parave të padeklaruara dhe paregjistruara. Ne dimë të gjithë që në Shqipëri ka plot para të padeklaruara. Ligji e ndan qartësisht se cila do jenë subjekte përfituese dhe cila subjekte përjashtohen nga skema e amnistisë. Nuk ka amnisti të plotë, por vetëm për një pjesë. Unë e ftoj opozitën që të bëhet pjesë e diskutimit kur qeveria ta sjellë, në të mirë të ekonomisë së vendit dhe të një lufte edhe më të ashpër, kundër trafikimit, terrorizmit dhe pastrimit të parave”, tha Balla.
Kreu i Grupit të PS ka kërkuar ndërkohë mbështetjen e opozitës për të kaluar në Kuvend, ligjin e ri të propozuar prej mazhorancës për procesin e dekriminalizimit, që parashikon përfshirjen e ish-agjentëve të Sigurimit të Shtetit, në listën e të deklasifikuarve për kandidatë në zgjedhje.
“Çështja e despiunizimit të politikës shqiptare është me rëndësi dhe mendoj që ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit në të gjitha majat e piramidës shtetërore të Shqipërisë, kërkon reflektim nga kuvendi. Grupi i PS ka depozituar dy projektligjet që erdhën si propozim i Autoritetit të Dosjeve, kërkojmë edhe mbështetjen e opozitës. Kjo duhet bërë me urgjencë. Duam të marrim mbështetjen tuaj tek ligji i dekriminalizimit. Të shtojmë edhe përfshirjen e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të shtetit. Kriminelë janë edhe ata. Është në nderin e PD-së që të mbështesë këtë projektligj. Të gjejmë frymën e bashkëpunimit. Është një nevojë urgjente edhe për të zgjedhur avokatin e popullit”, tha ai.