Gjatë mbledhjes së Task-Forcës për masat kundër koronavirusit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se vendi ynë vijon të mbetet jashtë hartës së vendeve të prekura.
Manastirliu theksoi se janë testuar 42 raste të reja, dhe nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri.
“Asnjë rast i konfirmuar me koronavirus në Shqipëri. Janë testuar 42 raste të reja të cilat kanë rezultuar negative. Po bëhet një punë voluminoze, intensive në pikat kufitare për të kontrolluar çdo udhëtar.
Mbështes punën e urgjencës kombëtare dhe bashkëpunimin me epidemiologët e kujdesit shëndetësor për punën e tyre”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja tha se po vijojmë me të gjithë masat për të shtuar stokun ekzistues të materialeve të mbrojtjes personale. “Puna jonë e fokusuar në materialet për mbrojtjen e personelit shëndetësor është në front të parë”, u shpreh ajo.