Shqipëria e kërkon për atentatin ndaj Ndojit, dënohet me 12 vite burg nipi i deputetit të njohur të PS

Nuk kanë fund telashet për Ramazan Rrajën, nipin e deputetit të PS, Rrahman Rraja. E ndërsa në Shqipëri është shpallur në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, ditën e sotme drejtësia belge e ka dënuar me 12 vite burg për drogë.

Vendimi është marrë në mungesë, ndërsa sipas dyshimeve të deritanishme, Rraja fshihet në Dubai. Mediat belge shkruajnë se një letonez dhe dy shqiptarë, Rraja së bashku me kushëririn e tij Fioralb Rraja akuzohen për drejtimin e një organizate të trafikut të kokainës, e cila sipas mediave belge lundronte në luks dhe në para.

Sipas dosjes së prokurorisë belge, banda trafikonte kokainë nëpërmjet Antëerp-it dhe më pas e shpërndante në të gjithë Europën Perëndimore si dhe në Turqi e deri në Australi.

Gjithashtu, kjo organizatë kriminale kryente pastrimin e parave përmes një zinxhiri restorantesh në shuma që arrinin deri në 11 milionë euro. Sipas prokurorisë belge biznesmeni letonez në nëntë muaj kishte udhëtuar në 14 vende, kryesisht brenda Europës, por edhe në Kolumbi, Ekuador si edhe Republikën Domenikane.

Ndërkohë nga operacioni i kryer për arrestimin e anëtarëve të kësaj bande, policia gjeti qindra foto të stilit të jetesës luksoze, ku sipas mediave belge, vetëm ora ‘Richard Mille’ që mban Ramazan Rraja kushton 665 mijë dollarë.

Rraja shfaqej në foto edhe teksa ngiste Ferrarin dhe Lamborghinin si dhe tregonte paratë e shumta që fitonte. Ndërkaq, kreu i bandës Kaspars N. investoi një pjesë të të ardhurave në Ké Group, një zinxhir dyqanesh perimesh, duke përfshirë Pokerrito në Nationalestraat në Antwerp.

Por si nisi hetimi?

“Antwerp” është pjesë e një hetimi të nisur në Bavari të Gjermanisë. Në vitin 2018, policia atje mori një denoncim nga një supermarket ku përveç bananeve gjetën edhe kokainë në kuti. Ai që kishte themeluar kompaninë e bananeve ishte Kaspars N. nga Letonia i cili jetonte në Berçem afër Antëerpit të Belgjikës. Sipas prokurorit, biznesmeni letonez ishte një trafikant ndërkombëtar teksa kishte udhëtuar në 14 vende, kryesisht brenda Evropës, por edhe në Kolumbi, Ekuador dhe Republikën Domenikane.

Përgjimet

Policia kishte vendosur aparate përgjimi në banesën e tij në Berçem duke përgjuar disa telefonata rresht. Në bazë të përgjimeve, kjo bandë ka shitur 450 bukë (buka përdorej si gjuhë e koduar për 1 kg kokainë) në Evropë, me një vlerë neto prej më shumë se 11 milionë euro.

Të gjitha bisedat e përgjuara kishin të bënin me futjen e ngarkesave të kokainës, ku banda përdorte GPS për të gjetur kontejnerët e kokainës, makina me vendngarkimet e caktuara, dokerë të korruptuar që nxirrnin kokainën, madje edhe një oficer policie të korruptuar që ‘mbyllte njërin sy’.

Sherri me avokatët

Pas ngritjes së aktakuzës, ka pasur një përplasje të ashpër mes kryetarit të gjykatës dhe avokatëve. Avokates iu kërkua të paraqesë kërkesën e saj me shkrim tek të gjitha palët. Sipas medias belge avokatët e trafikantëve të drogë përpiqen të sillen vazhdimisht në këtë mënyrë kur mbrojnë të tilla raste. Avokati Sanne De Clerck, i cili përfaqëson të dyshuarin kryesor Kaspars N. e refuzoi një të tillë, ndërsa edhe avokatët e tjerë vepruan po njësoj.

Operacioni i vitit 2020

Pak orë para bastisjes së madhe në dhjetor 2020, kreu i bandës Kaspars N. mori një telefonatë se policia ishte pranë tij. 13 anëtarët e bandës po ndiqen penalisht për trafik të sasive të mëdha të kokainës, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim parash.

Policia sekuestroi një kontejner me 57 kg kokainë mes bananeve. “Vetëm në bazë të përgjimeve, kjo bandë ka shitur 450 bukë (gjuha e kodit për 1 kg kokainë) në Evropë”, tha prokurori. Një kilogramë kokainë llogaritej për 26 mijë euro duke prodhuar një pasuri kriminale prej më shumë se 11 milionë euro”. “Vetëm kini kujdes nëse mendoni se do të hani perime të shëndetshme. Kjo bandë e trafikut të drogës ka biznese të ndryshme që pastrohen paratë”, u shpreh prokurori.

Prokuroria kërkoi 9 vjet burg për Kaspars N. dhe 8 vjet për dy drejtuesit e tjerë, Musa G. dhe Ramazan Rrajën, ndërsa për anëtarët e tjerë të bandës pritet të përballen me dënime nga 4 deri në 6 vjet.

Të Fundit