“Shqipëria e ka të qartë kush është miku dhe armiku”, Yuri Kim: E ardhmja është me Europën dhe partneritetin amerikan

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, duket se nuk është e shqetësuar mbi ndikime të mundshme nga Rusia dhe Kina. Këtë e ka posuar vetë ajo në një intervistë për Qendrën Evropiane të Studimeve mbi Sigurinë, George C. Marshall ku është ndalur për të folur në një sërë çështjesh.

Sipas Kim, SHBA-të kanë qenë partnerë, të cilët e kanë mbështetur gjithmonë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, ajo nuk është e shqetësuar mbi ndikime të mundshme nga Rusia dhe Kina.

“Shqipëria e ka shumë të qartë kush është miku dhe armiku. Rusia dhe Kina kanë shumë pak ndikim në Shqipëri. Ata e kuptojnë shumë mirë se e ardhmja e tyre përket me Evropën dhe me partneritetin amerikan. Do të punojmë fort për këtë gjë”, tha ambasadorja.

Ambasadorja amerikane ka renditur gjatë intervistës së saj, edhe tre prioritetet gjatë qëndrimit në Tiranë.

Ato lidhen me demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.

“Shteti ligjor, gjykatat e pastra, reforma në drejtësi. Këto janë aspekte themelore të një vendi”, theksoi Kim, duke iu referuar punës së bërë nga Shqipëria për të pastruar gjyqësorin. Si anëtarë të NATO-s, na intereson një shtet që mban peshën e mbrojtjes dhe të aleancës”, nënvizoi ajo.

Ndërsa, mbi biznesin, ambasadorja e quajti të papranueshëm faktin se si një vend me pozicion të tillë gjeografik dhe strategjik, të renditet mes vendeve të varfra.

“Nuk ka kuptim. Është një vend shumë strategjik gjeografik. Mjafton thjesht të nxirret në pah potenciali i duhur dhe minimalisht, ky vend do të jetë mesatar”, tha ajo.

Një tjetër aspekt i kapur nga ambasadorja ishte edhe ai i dhunës ndaj grave.

Shqipëria, sipas Kim, është një vend me tablo të komplikuar. Nga njëra anë, radhitet një kabinet i jashtëzakonshëm qeveritar me 75% gra.

Nga ana tjetër, shifrat e dhunës në familje përbëjnë shqetësim të madh.

“Kjo është e jashtëzakonshme. Kabineti me shumicë grash, është shumë i kualifikuar. Ato janë efektive, jemi shumë të lumtur të punojmë së bashku. Nga ana tjetër, dhuna në familje është një problem shumë shqetësues. Do të punojmë fort mbi këtë gjë”, ravijëzoi Kim.

Një prej ccështjeve të prekura gjatë intervistës ishte edhe stërvitja ushtarake “Defender Europe 21”, e cila e pa Shqipërinë si një ndër vendet kryesore mikpritëse, në stërvitjen ushtarake më të madhe në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit.

Mbi këtë premisë, Kim tregoi edhe rëndësinë e zhvillimit të saj.

“Është me shumë rëndësi të tregohet se jemi të aftë të operojmë së bashku. Kështu kundërshtarët mund të kuptojnë se ne jemi të bashkuar për të përballur çdo sfidë”, argumentoi ajo.

Këto stërvitje sipas saj, kanë krijuar mundësi për të punuar së bashku dhe stërvitja, është lidhur me lëvizjen e trupave, pajisjeve, nga Evropa qendrore, drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike.

Të Fundit