Shqipëria drejt zhvillimit të teknologjisë e industrisë, BERZH do financojë 900 mln€

Banka e Shqipërisë thotë se vendi ynë duhet të zhvillohet përmes teknologjisë dhe politikave industriale. Për të mbështetur këtë tranzicion, do të jetë BERZH, ajo që do të financojë 900 mln euro për 5 vitet në vazhdim.

Reformat e 20 viteve të fundit kanë krijuar një ekonomi konkurruese në Shqipëri, por ato nuk janë të mjaftueshme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Në realitetin e ri global, për Guvernatorin Gent Sejko, vendi duhet të shkojë drejt ringritjes së politikave indistriale dhe tregut të teknologjisë.

“Këto “shërbime të inovacionit global”, si teknologjia e informacionit, dizajni, logjistika dhe analiza e të dhënave, janë në zemër të rritjes së produktivitetit dhe vlerës së shtuar, por për t’i zhvilluar, nevojiten themele të forta: investime në arsim, fuqi punëtore e kualifikuar, infrastrukturë digjitale moderne dhe kapacitete të larta institucionale.

Disa ekonomi të Evropës Qendrore dhe Lindore tashmë janë bërë eksportuese lider në fushën e shërbimeve kompjuterike. Edhe Shqipëria ka potencialin ta ndjekë këtë rrugë”, tha Sejko.

Ndërkohë, BERZH do të financojë 900 mln euro deri në vitin 2030, për të mbështetur zhvillimin e vendit.

“Kjo synon të mbështesë progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prioritetet e strategjisë sonë për vendin janë tërësisht të harmonizuara me strategjinë globale të BERZH që përmenda më lart, ndërkohë që janë përshtatur me prioritetet dhe nevojat të Shqipërisë. Prioriteti i parë është përshpejtimi i kalimit drejt ekonomisë së gjelbër, do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në përpjekjet e saj për të diversifikuar burimet e energjisë së rinovueshme”, bëri me dije drejtoresha e Berzhit në Shqipëri, Ekaterina Solovova.

Në prezantimin e raportit të tranzicionit për vendin tonë, u detajuan edhe programet e financimit që do të përmirësojnë zgjerimin e rrjeteve të transportit dhe shpërndarjes së energjisë.

Të Fundit