Shqipëria dhe SHBA-ja nënshkruajnë marrëveshjen për ekstradim, Kim: Do i japim fund pandëshkueshmërisë

Firmoset në Pallatin e Brigadave marrëveshja për ekstradim me SHBA-në, që në fakt zëvendëson traktatin e 1933 të firmosur nga Faik Konica.

Marrëveshja është nënshkruar mes ambasadores amerikane, Yuri Kim dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Ministrja Gjonaj gjatë fjalës së saj theksoi se tashmë askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri.

“Akti që formalizojmë sot përmes këtij nënshkrimi, është shenjë e qartë e vullnetit të palëkundur të qeverisë shqiptare, në drejtim të zbatimit të ligjit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, por edhe provë e mbështetjes së pakursyer të mikut dhe aleatit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në realizimin e këtij objektivi të përbashkët. Marrëveshja shërben si një sinjal i qartë dhe i vendosur ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, se askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri”, u shpreh Gjonaj.

Ndërsa ambasadorja Yuri Kim theksoi se SHBA mbështet Reformën në Drejtësi në Shqipëri.

“Ky traktat modernizon atë nismë mes SHBA dhe Shqipërisë që është nënshkruar fillimisht 87 vite më parë. Ky traktat ekstradimi siguron një kornize moderne që SHBA dhe Shqipëria të përballet me sfidat e krimit ndërkombëtar. Ky traktat siguron një tjetër armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë të kriminelëve. Nuk do të ketë strehë të sigurt këtu, ose në Shtetet e Bashkuara, për të arratisurit që përpiqen t’i shpëtojnë drejtësisë. SHBA do të vazhdojë të qëndrojnë përkrahë Shqipërisë për ta çuar përpara sfidën për drejtësi. Ne nxisim punën e SPAK në vendosjen e përparësive. Ne po punojmë edhe me BKH në çdo hap të zhvillimit të saj duke ndihmuar në zgjedhjen e më të mirëve. Ndihma që SPAK të funksionojë plotësisht është prioritet për SHBA. Suksesi i SPAK nuk është vetëm ajo që SHBA pret por ajo që meritojnë shqiptarët. Vlerësoj përpjekjet dy palëshe për këtë marrëveshje historike. Partneriteti ynë është jetëgjatë dhe miqësia jonë është e qëndrueshme. Kemi shumë punë për të bërë”, u shpreh Kim.

Sipas marrëveshjes së re do të realizohet zgjerimi dhe përditësimi i kategorive të veprave penale, për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, mbi bazën e parimit të kriminalitetit të dyfishtë.

Këtu përfshihen veprat penale më të reja si ato me karakter financiar, tatimor dhe doganor, korrupsionin, veprat mjedisore, veprat në fushën informatike e çdo vepër që dënohet me heqje të lirisë për një periudhë maksimale prej më shumë se një  viti  ose për një dënim më të rëndë.

 

Të Fundit