Qeveria ka miratuar marrëveshjen që e përfshin Shqipërinë në mekanizmin ndërkombëtar COVAX, mekanizëm i cili siguron vaksinën anti-COVID-19 në momentin që ajo do të certifikohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Lajmin e njoftoi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një takimi me ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik ku u shpreh se qeveria paralelisht do të mbajë lidhje me shtete të Bashkimit Evropian në mënyrë që t’i mundësohet kështu, njësoj si për vendet e zhvilluara, e drejta e blerjes së vaksinës në kohë në momentin kur ajo të zhvillohet.
Manastirliu u shpreh se përfshirja në këtë mekanizëm ndërkombëtar qe rekomanduar nga ekspertët e mjekësisë.
Qeveria angazhohet kështu financiarisht në mekanizmin në të cilin bëjnë pjesë 80 shtete, mes të cilave edhe vendet e BE-së.
“Pjesëmarrja e Shqipërisë në COVAX garanton qasjen dhe barazi në sigurimin e vaksinës anti-Covid dhe jep garanci për sigurinë e vaksinës,” – tha Prof. Gjeorgjina Kuli.
“Aktualisht janë në zhvillim e sipër rreth 200 vaksina, por vetëm 20 prej tyre janë në faza të avancuara, pjesa më e madhe janë pjesë e mekanizmit COVAX,” – u shpreh Prof. Eduard Kakarriqi nga ISHP-ja.
“Mekanizmi COVAX jep mundësi për ta marrë dhe aplikuar vaksinën nëse ajo del zyrtarisht,” – shtoi Prof. Najada Çomo drejtuese e Spitalit Infektiv.
“COVAX Facility” është mekanizëm ndërkombëtar, – i përbërë nga Gavi, CEPI dhe OBSH, – që koordinon burimet dhe kërkesën për vaksinë ndaj COVID-19 me kapacitetet prodhuese të kësaj vaksine.
Parashikohet që me t’u certifikuar një vaksinë e suksesshme të furnizohen të gjitha vendet me mjaftueshëm doza për të mbuluar 20% të popullsisë.
Më pas do të vijojë furnizimi i vendeve me pjesën e mbetur të dozave të kërkuara, – nëse kërkesat janë për më shumë se sa 20 për qind.