Partia “Shqipëria Bëhet” ka ankimuar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve, vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ia kaloi mandatin e deputetit Kleana Xhuvelit.
Sipas kësaj force politike, KQZ duhet të njihte dorëheqjet e dorëzuara në 11 maj nga kandidatët e listës së mbyllur.
Në ankimimin e depozituar në KAS, “Shqipëria Bëhet” kërkon që mandati t’i kalojë Adiatik Lapaj, si kandidati më i votuar në listën hapur.
Tashmë pritet që Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve të shqyrtojë rastin dhe të japë një vendim mbi emrin e deputetit që do të marrë mandatin në Kuvend për Qarkun Tiranë.
Në ankimimin e saj, Shqipëria Bëhet ka kërkuar:
“1. Ndryshimin e Vendimit Nr. dt. 23.07.2025, të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ‘Për caktimin e kandidatëve fitues të subjektit zgjedhor Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025’.
Mosnjohjen si të vlefshme të revokimit të dorëheqjeve të depozituara përkatësisht në datë 15.07.2025 nga Zeqir Kordhoni dhe në datë 17.07.2025 nga Kleana Xhuveli.
Shpalljen e kandidatit fitues nga lista shumëemërore sipas numrit të votave parapëlqyese, të subjektit zgjedhor Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” për Qarkun Tiranë, si më poshtë: 1. Adriatik Ferman Lapaj (SHB).
Miratimin e kandidatëve të mbetur, të cilët nuk kanë përfituar mandat në listën shumëemërore të subjektit zgjedhor Koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ në bazë të renditjes sipas numrit të votave parapëlqyese, duke filluar nga numri më i lartë i votave dhe duke zbatuar kriterin gjinor”.