Shpullë volejbollistes, trajneri mbrohet: I kemi vajzat si çuna, ma kërkoi vetë. Federata u nxitua!

Federata Shqiptare e Volejbollit nëpërmjet Komitetit Ekzekutiv ka reaguar ashpër duke i hequr licencën trajnerit të ekipit të volejbollit të vajzave Skënderbeut U18 Romeo Xega dhe përjashtuar përgjithmonë nga e drejta zyrtare për të ushtruar, drejtuar e trajnuar çdo lloj ekipi pjesë e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombetare të FSHV-së.

Pas vendimit ka reaguar vetë trajneri Romeo Xega. Ai ka deklaruar se vajza ia kishte kërkuar vetë pasi nuk po reagonte dhe ishin në finale.

“Dy nga lojtaret e mia kanë kërkuar profesor nuk po reagojmë dot, jemi jo mirë psikologjikisht, jemi në finale. Përmbledhja në ato 2 sekonda, tregon një veprim jo të hijshëm në sport. Lojtarja më kërkoi një shpullë profesor që të shkundem dhe pa asnjë veprim të keq, për të krijuar këtë incident, mori përmasa që nuk di si ta shprehë. Realisht për syrin e një njeriu normal është e ekzagjeruar, por ajo hyn në normalitetin e një finaleje. I krahasojmë vajzat si çunat, kemi një raport shumë të afërt, si fëmijët, deri më sot mund të quhet rasti i parë që ndodh kjo gjë. Nuk jemi as të parët dhe as të fundit”, tha trajneri.

Ai e ka komentuar vendimin e FSHV si të nxituar e ku ka njoftuar se do e apelojë.

“Sa i përket vendimit, është i nxituar për shumë arsye. Nuk mund të marrësh një vendim pa mbledhur një bord drejtues, protokolli zyrtar i ndeshjesh, çdo arbitër raportin dhe shënohet, ndeshja ka përfunduar me rregulla. Kur mblidhet një komision, merret një vendim, thirret sportisti, prindërit dhe drejtuesi i ekipit. Do e apelojmë, kemi argumentuar këto pika”, tha ai.

 

Të Fundit