Prej mesditës së të martës vijojnë kërkimet në liqenin e Shkodrës për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes turistike. Arben Anamali dyshohet se gjatë përpjekjes për të shpëtuar turistët që kishin rënë në ujë, është mbytur.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 16:32 minuta. Forcat polumbare të FNSH-së në bashkëpunim me punonjës të Bashkisë së Shkodrës vijojnë kërkimet për gjeten e trupit të 51-vjeçarit. 5 turiste izraelite po lundronin me anijen që drejtohej nga kapiteni Arben Anamali.
Në një moment janë hedhur për tu larë në ujrat e liqenit dhe më pas kanë kërkuar ndihmë për t’i shpëtuar.
Kapiteni ka vepruar menjëherë duke bërë të mundur si fillim nxjerrjen nga uji të tre prej tyre, ndërsa disa metra më larg kanë qenë edhe dy të tjera të cilat edhe ato arriti t’i shpëtonte. Fatkeqësisht gjatë kësaj tentative për të shpëtuar turistet, nuk arriti të dilte nga ujrat e liqenit të Shkodrës.
Turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.