Shpërthim i fuqishëm në Sarandë: Hidhet në erë makina, zbulohet “shënjestra”

Një shpërthim i fuqishëm me eksploziv ka tronditur mbrëmjen e djeshme lagjen nr.3 të qytetit bregdetar të Sarandës. Sipas informacioneve paraprake, lënda shpërthyese dyshohet se ishte vendosur pranë një automjeti, në afërsi të banesës së Klaus Jaçes, i shpallur në kërkim nga policia.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50 dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale, si në automjetin e parkuar, ashtu edhe në banesat përreth. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar.

Forca të shumta policore dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.

Klaus Jaçe është shpallur në kërkim pas ngjarjes të ndodhur më 17 korrik pranë stadiumit të qytetit, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit Ernest Lama, 25 vjeç, dhe Gëzim Hajdaraj, 33 vjeç.

Bashkë me Jaçen, në kërkim janë edhe Ramadan Zoto, i dyshuar si autori i plagosjes, vëllai i tij Erjon Canaj, 36 vjeç, dhe shtetasi Artan Murtaj, 43 vjeç.

Të Fundit