Shpërndanin drogë afër gjimnazeve të Durrësit, arrestohen 12 persona

Policia e Durrësit ka shkatërruar një grup që shpërndanin lëndë narkotike pranë shkollave në këtë qytet.

Në kuadër të operacionit të koduar “CLEANING 3”, u vunë në pranga 12 shtetas, ndërmjet tyre edhe organizatori i grupit, dhe vijon puna për kapjen edhe të një shtetasi tjetër, pjesëtar i këtij grupi.

“Gjatë operacionit, shërbimet policore të Durrësit kanë ekzekutuar urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masë sigurie ”Arrest në burg”, për 12 shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, konkretisht: F. A., 30 vjeç (i dyshuar si organizator). Në ngarkim të tij janë vendosur gjithashtu veprat penale: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

B. O., 32 vjeç; A. P., 24 vjeç; E. Sh., 19 vjeç; T. D., 36 vjeç; F. C., 31 vjeç; G. K., 27 vjeç; I. H., 35 vjeç; S. Sh., 58 vjeç; I. D., 38 vjeç; dhe shtetasit M. K., 29 vjeç, dhe V. Sh., 20 vjeç, në ngarkim të të dyve është vendosur edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi B. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, dhe vijon puna për kapjen e tij.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 180 doza kokainë me peshë totale 100 gramë; 620 doza lëndë narkotike marijuanë me peshë totale 1.25 kilogramë; 2 peshore elektronike; 16 telefona celularë; 3 armë të ftohta (thika); 1 përforcues grushti dhe fishekë luftarakë”, bëri me dije policia.

Nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike në afërsi apo pranë shkollave (gjimnazeve) të qytetit të Durrësit.

Të Fundit