Punëtorët në një fabrikë të kompanisë “Pfizer” në Miçigan dërguan mëngjesin e së dielës ngarkesat e para me vaksinën anti-COVID, duke i dhënë jetë projektit më të madh dhe më kompleks të shpërndarjes së këtij ilaçi në Shtetet e Bashkuara.
Pamje të agjencive të lajmeve treguan punonjës të maskuar që lëviznin kuti prej kartoni që përmbanin vaksinën dhe i vendosnin ato në frigoriferë të mëdhenj blu, përpara se t’u vendosej etiketa.
Punëtorët duartrokitën dhe vërshëllyen teksa kutitë e para u vendosën në kamionët në pritje.
Momenti kulmor vjen në një kohë kur vdekjet nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara po rriten ndjeshëm dhe kur do të duhen muaj përpara se qytetarët amerikanë të marrin vaksinën.
Qeveria federale planifikon të shpërndajë 2.9 milionë doza në 64 shtete, territore amerikane dhe qytete te mëdha. Edhe pse qeveria federale po koordinon operacionet e shpërndarjes, u takon shteteve të vendosin në mënyrë individuale se cila kategori do të marrë dozat e para.
Aktualisht, qeveria federale po i dërgon ngarkesat në më shumë se 600 lokalitete.
Kompani të industrive të shumta po lobojnë në nivel shtetëror dhe federal për të siguruar prioritetin për punonjësit e tyre për t’u vaksinuar.
Entet rregullatorë amerikane autorizuan të premten përdorimin e vaksinës se “Pfizer BioNTech” dhe sherifët amerikanë do të shoqërojnë për arsye sigurie ngarkesat nga fabrika në destinacionin final.