Në shkurt të këtij viti, transmetuam një problematikë nga Lushnja. Bexhet Vrapi, tregoi, se kunati i tij, që jeton në Amerikë, 10 vjet më parë ishte lidhur me avokaten Klotilda Kola, e cila i mori 18 mijë dollarë, duke i premtuar, se do të fitonte pronën me gjyq. Por, gjyqi caktoi disa bashkëpronarë dhe avokatja duhet t’i kthente lekët. Prej një viti e gjysmë Bexheti nuk po mundet të marrë paratë. Pas transmetimit të rastit, Bexheti tha, se avokatja Klotilda Kola i ka dhënë një pjesë të parave, duke i premtuar, që pjesën e mbetur, rreth 7 milionë lekë, t’ia jepte në fund të muajit mars. Por nga ky moment, zonja Kola u zhduk.Rikthehemi në Lushnje, pasi qytetarja Mimoza Sema na tregon, se ka rënë pre e avokates Klotilda Kola, duke i dhënë 3800 euro, për një padi për vete dhe të shoqin, për njohjen e vjetërsisë në punë dhe përfitimin e pensionit. Prej 2 muajsh Mimoza thotë, se ka humbur kontaktet me avokaten dhe gjyqi nuk është askund. Ne verifikojmë, që zyra e avokates është e mbyllur e po kështu në Gjykatën e Lushnjes nuk ka asnjë padi të regjistruar në emër të bashkëshortëve Sema. Në Dhomën e Avokatëve Lushnje, kryetari Kozma Jano, thotë, që Klotilda Kola është pa license dhe e pa regjistruar në tatime prej më shumë se 8 vjetësh. Ajo ka ushtruar profesionin në mënyrë të paligjshme dhe ka mashtruar dhe vjedhur qytetarët gjatë gjithë kësaj kohe.
