Shoqatat e Qumështit: S’ka çështje të hapura nga AKU, produktet vendase, të sigurta

Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit dhe Shoqata e Blegtorëve Prodhues të Qumështit kanë reaguar pas lajmeve të publikuara së fundmi në disa portale mediatike, duke sqaruar publikun se industria shqiptare e qumështit punon çdo ditë në përputhje me standardet më të larta të sigurisë ushqimore.

Në një deklaratë të përbashkët, dy shoqatat theksojnë se proceset e kontrollit të cilësisë janë të rregullta dhe ndërhyrjet bëhen menjëherë në rast se konstatohen probleme. Ato nënvizojnë gjithashtu se aktualisht nuk ka asnjë çështje të hapur nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ndaj ndonjë prej kompanive të përmendura në raportimet mediatike për kontaminimin me aflatoksinë.

Në deklaratë, shprehet keqardhje që në një treg të hapur ndaj produkteve të importuara, tentohen të krijohen përshtypje të gabuara mbi produktet vendase, ndërkohë që industria dhe fermerët shqiptarë janë të përkushtuar të ofrojnë ushqim të sigurt dhe cilësor për konsumatorët.

Shoqatat riafirmojnë angazhimin e tyre për transparencë, cilësi dhe siguri ushqimore, duke falënderuar qytetarët për besimin e vazhdueshëm ndaj fermerëve dhe prodhuesve shqiptarë.

Të Fundit