Shoqata e Gjyqtarëve: Mos ushtroni presion mbi drejtësinë

Këtë të martë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë publikoi një deklaratë lidhur me komunikimet e fundit publike të Kryeministrit për çështjen gjyqësore që përfshin Zëvendëskryeministren dhe njëkohësisht Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Çështja aktualisht po shqyrtohet paralelisht nga Gjykata Kushtetuese dhe gjykatat e posaçme.

Shoqata bën të ditur se ka ndjekur me vëmendje deklarimet dhe shpreh “shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur”, duke vlerësuar se nën pretendimin për “uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor” qëndron “një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë”.

Sipas deklaratës, qëndrime të tilla publike mund të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe “mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit.”

Shoqata rithekson rëndësinë e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke e cilësuar pavarësinë e gjyqësorit si “një gur themeli për ndërtimin të shtetit të së drejtës.”

Ajo thekson se kjo pavarësi rrezikohet jo vetëm nga veprime që kufizojnë kompetencat e gjyqësorit, por edhe nga “çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore.”

Në deklaratë përmendet gjithashtu se Komisioni Evropian, në raportet për Shqipërinë, ka adresuar si shqetësim “vazhdimin e përpjekjeve të ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.”

Shoqata thekson se gjyqtarët janë të pavarur dhe “i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”. Në deklaratë nënvizohet se misioni i tyre nuk lidhet me pëlqimin publik, por me “zbatimin me fanatizëm të vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte.”

Sipas Shoqatës, vendimet gjyqësore edhe kur mund të jenë të papëlqyeshme “nuk i bën ato ilegjitime,” pasi standardet e shtetit të së drejtës janë të pandryshueshme dhe gjyqtarët janë zbatuesit finalë të tyre.

Në përfundim, Shoqata u kërkon zyrtarëve të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ “të respektojnë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohen nga çdo sjellje që e cenon atë.”

Deklarata thekson se ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë procedurave gjyqësore “përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve.”

Deklarata mbyllet me nënshkrimin e kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Engert Pëllumbi.

Të Fundit