“Shkodra dominohet nga bandat kriminale”/ Voltana Ademi : Jam kërcënuar shumë herë për jetën time dhe fëmijëve, por kam zgjedhur të përballem

Në një intervistë të dhënë për revistën Monitor, Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë së Shkodrës, ka folur për jetën e saj private dhe politike si dhe për shpopullimin e qytetit në veri të vendit. Ademi  thotë se një ndër arsyet ka qenë edhe vendosja e këtij qyteti nën presionin e bandave.

Madje, Ademi, bën edhe deklaratën e fortë. “Edhe unë jam kërcënuar shumë herë me jetën time dhe të fëmijëve, por kam zgjedhur përballjen”,- thotë Ademi duke iu referuar situatës së shpopullimit të qytetit dhe pse kërkojnë të ikin shkodranët.

Sipas INSTAT, nga viti 2011 deri në 2019 nga Shkodra emigruan rreth 36 mijë persona, ose 16.7% e  popullsisë së qarkut, duke qenë qarku me shifrën më të lartë të largimit. Ademi sqaron për monitor se më shumë sesa arsyet ekonomike, qytetarët largohen nga mungesa e sigurisë. “Qyteti dominohet nga bandat kriminale, të cilat në vijimësi janë shndërruar në kërcënim për qytetarët e ndershëm” thotë kryebashkiakja.

Sipas MONITOR, Shkodra ka qenë edhe më e prekura për shkak të Covid dhe nga përmbytjet që përkeqësojnë gjendjen ekonomike në qytet. Bizneset me status pasiv u rritën me 64% në periudhën maj-dhjetor 2020.

Sipas të dhënave të INSTAT, viti 2009-2018, Shkodra ka rritjen më të ulët ekonomike pas qarkut të Kukësit. Në 10 vite ekonomia e Shkodrës u zgjerua vetëm me 8% ndërsa në qarqet e tjera rritja ka qenë me 2-3 dhe 4 shifrore.

 

Të Fundit