Një 24-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shkodrës këtë të shtunë, pasi dyshohet se tentoi të grabiste me dhunë, nën kërcënimin e thikës, një filial të Postës Shqiptare dhe një subjekt tregtar.
Ngjarja ka ndodhur këtë të shtunë. Sipas uniformave blu, i riu u identifikua dhe u vu në pranga brenda pak orësh, pas një operacioni të zhvilluar nga strukturat hetimore të Policisë së Shkodrës.
Mësohet se fillimisht ai ka tentuar të grabisë Postën Shqiptare në lagjen “Vasil Shanto”, ku gjatë largimit ka thyer xhamin e sportelit dhe është arratisur me një biçikletë të vjedhur. Pak minuta më vonë, dyshohet se ka tentuar një tjetër grabitje në një market në lagjen “Fahri Ramadani”, ndërsa gjatë ikjes ka vjedhur edhe një biçikletë tjetër në lagjen “Skënderbeg”.
24-vjeçari u gjet i fshehur në tavanin e banesës së tij, në fshatin Guci e Re. Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi dy biçikleta dhe disa prej rrobave të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.



