A ka ardhur vërtetë epoka e robotëve që riprodhohen?
Përgjigja mund të jetë po, nëse këta shkencëtarë po thonë të vërtetën dhe ja vlen të besohen. Ata thonë se kanë krijuar ‘robotët e parë të gjallë’ nga qeliza të bretkosave, të cilët mbi të gjithë – mund të riprodhohen.
Studiuesit në Universitetin e Vermontit, Tufts dhe Harvard i krijuan këto robotë të gjallë duke shkëputur dhe inkubuar qeliza të gjalla steminale nga embrionet e bretkosave.
Robotët e gjallë janë pagëzuar me emrin ‘xenobote’ pasi qelizat janë marrë nga embrione të bretkosave afrikane me emrin xenopus apo ksenopus.
Këto qeliza steminale kanë mundësinë të rriten dhe të shndërrohen në qeliza të ndryshme si qeliza të trurit, qeliza gjaku apo qeliza kockash.
Por çfarë janë xenobotët?
Në këtë pikë të eksperimentit, xenobotët janë organizma sintetike që kanë një madhësi prej më pak se 1 milimetri dhe të cilat përbëhen nga vetëm 2 elemente: qelizat e lëkurës dhe qelizat e muskujve të zemrës – të dyja janë të marra prej qelizave steminale të shkëputura prej embrioneve të bretkosave. Funksioni i qelizave të lëkurës është të ofrojnë një lloj suporti për qelizat e zemrës të cilat performojnë si një motor i vogël, duke u kontraktuar dhe zgjeruar në volum për ta shtyrë xenobotin përpara.
Xenobotët mund të ecin, notojnë, të shtyjnë copëza të vogla prej guri, të transportojnë informacion si dhe të punojnë së bashku për të organizuar copëza ‘mbeturinash’ të shpërndara në enën e tyre, në një grumbull të rregullt. Ato kanë aftësinë të mbijetojnë për javë të tëra pa ushqim si dhe të shërojnë vetveten pas gërvishtjeve të vogla.
Më parë, e njëjta skuadër ka publikuar një studim që tregon se si këto xenobote mund të programoheshin duke përdorur Inteligjencë Artificiale (AI) por ata tashmë kanë zbuluar se ata kanë edhe mundësinë për t’u rikrijuar – një zbulim tejet i papritur.
Bashkë-autori nga Universiteti Tufts, Pr. Michael Levin shpjegon për Euroneës që këto xenobote nuk po riprodhohen në mënyrat normale biologjike.
“Ky nuk është riprodhim në nivelin qelizor. Nuk janë qelizat që po riprodhohen por vetë robotët. Pra, xenobotët po prodhojnë xenobotë të tjerë,” tha Levin.
Levin shpjegon se ajo që po bëjnë këto qeliza në të vërtetë është kopje të vetvetes – jo thjesht të qelizave individuale, por të të gjithë organizmit.
Sidoqoftë, në këtë pikë të eksperimentit, këto grupime qelizash apo xenobotë, mund të jetojnë vetëm rreth 1 javë në një enë ku ato vendosen dhe studiohen nga shkencëtarët me mikroskop.
Por, Profesor Levin shtoi se është e mundur që ato të mbahen gjallë edhe për një muaj nëse shkencëtarët nisin të shtojnë ushqim në solucionin salin ku ato jetojnë.
“Kjo teknologji i zhduk barrierat mes robotikës dhe biologjisë pasi ne kemi një shkallë kontrolli mbi këto robotë dhe këtu hynë pjesa e ‘mësimit të makinerive’.
Aplikimet e kësaj teknologjie janë të shumtë sidomos në mjekësinë regjeneruese dhe Inteligjencën Artificiale, pasi gjërat që ne mësojmë nga robotët, mund t’i marrim dhe t’i transferojmë për të ndërtuar arkitektura të reja që mund t’i mësohen makinerive, të cilat bazohen mbi këtë lloj plasticiteti biologjik i cili nuk është eksploruar ende në njëqind përqindëshin e tij nga fusha e inxhinierisë,” – shtoi Levin.
Për më tepër, ndiqni materialin filmik të prodhuar nga skuadra e shkencëtarëve në Universitetin e Vermontit.