Autoriteti italian i konkurrencës ka gjobitur kompaninë Apple me 98.6 milionë euro (115 milionë dollarë) për abuzim të dyshuar me pozicionin e saj dominues në tregun e aplikacioneve mobile.
Autoriteti italian i konkurrencës, AGCM, tha se politika e Apple për Transparencën e Gjurmimit të Aplikacioneve (ATT) kufizoi konkurrencën duke vendosur kushte të padrejta ndaj zhvilluesve të aplikacioneve të palëve të treta.
Autoriteti zbuloi se zbatimi i Apple i detyroi zhvilluesit të kërkonin pëlqimin dy herë për të njëjtin qëllim, një proces që nuk përmbush kërkesat e legjislacionit për privatësinë. Autoriteti theksoi se kjo qasje e “pëlqimit të dyfishtë” ishte e dëmshme për zhvilluesit, reklamuesit dhe platformat e reklamimit, pasi kufizon mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave thelbësore për reklamimin e personalizuar.
Hetimi, i kryer në koordinim me Komisionin Evropian, autoritete të tjera kombëtare të konkurrencës dhe Autoritetin Italian të Mbrojtjes së të Dhënave, arriti në përfundimin se Apple mban një pozicion “super-dominues” në tregun e platformave që furnizojnë aplikacione për përdoruesit e iOS. Autoriteti i konkurrencës vendosi që kompania kishte shkelur nenin 102 të Traktatit për Funksionimin e BE-së, i cili ndalon abuzimin me një pozicion dominues në treg.
Apple, e cila shpërndan aplikacione globalisht përmes App Store-it të saj, më parë i ka mbrojtur rregullat e ATT si një masë kyçe për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve.



