Një organizatë kriminale e drejtuar nga trafikantë shqiptarë është shkatërruar nga policia spanjolle. Mediat e huaja raportojnë se banda kultivonte, shiste dhe eksportonte lëndë narkotike në Spanjë dhe në vendet evropiane, si Belgjika dhe Gjermania.
Gjatë operacionit të koduar ‘Albacos’ janë arrestuar në total 33 persona, shumica prej tyre shqiptarë, nga të cilët 21 prej tyre janë lënë në burg, ndërsa për pjesën tjetër janë dhënë masa të tjera sigurie.
Dymbëdhjetë plantacionet që ka zbuluar policia, ishin menduar në vende ku aksesi ishte shumë i vështirë, thanë autoritetet policore spanjolle.
Struktura hierarkike e organizatës kriminale, ata që merrnin vendimet dhe drejtonin grupin, ishin shqiptarë, ndërsa poshtë tyre vinin në radhë spanjollët, kolumbianët, italianët apo gjermanët.
Në pranga mësohet se kanë rënë edhe tre gra, që ishin të angazhuara me marrjen e shtëpive me qira ose sigurimin e automjeteve, me të cilat kryhej transporti.
Kjo organizatë kriminale mësohet se përdorte teknika paramilitre, dedikuar kultivimit, shitjes dhe eksportit të marijuanës që më pas e shisnin në disa provinca spanjolle, në Belgjikë dhe Gjermani.