Në Njësinë 6 në Kombinat, 90-vjeçari Nuro Kulluri denoncon në emisionin “Stop” ngushtimin e shkallëve të pallatit dhe zënien e hapësirës publike nga fqinji i tij, Përparim Fejzo. Sipas denoncimit, hapësira poshtë shkallëve, ishte shfrytëzuar si dyqan ushqimor, i dhënë me qira.Verifikimi në terren tregoi, se shkallët ishin ngushtuar nga 105 cm në 85–95 cm, duke krijuar pengesë për banorët dhe veçanërisht për të moshuarin. Bashkëshortja e Përparim Fejzos pranoi ndërtimin e shkallëve me një inxhinier privat dhe deklaroi, se hapësira do të lirohej vetëm pas ndërhyrjes së bashkisë edhe në raste të tjera.Gjatë ballafaqimit mes palëve pati tensione dhe debate të forta, që për pak kaluan në përplasje fizike.
Lidhur me denoncimin e 90 vjecarit Nuro Kulluri, për zënien e hapësirave publike në Kombinat, IMT dhe Bashkia Tiranë dërguan në terren inspektorin e zonës, Rushit Shkurta, i cili konfirmoi shkeljen dhe urdhëroi prishjen e shkallëve dhe lirimin e hapësirës publike. Ndërhyrja u krye, ndërsa më pas u prish edhe dyqani pa leje.Megjithatë, banorët shprehen, se problemi i zënies së hapësirave publike në Kombinat, mbetet i pazgjidhur dhe ndërhyrjet institucionale janë të pjesshme.



