Shkaktoi aksidentin me dy viktima, arrestohet 28-vjeçarja italiane

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një shtetase italiane 28-vjeçare, e cila akuzohet si shkaktare e aksidentit të rëndë rrugor me dy viktima në aksin Levan–Vlorë.

Ngjarja ndodhi në afërsi të vendit të quajtur “Kripa”, në autostradën “100 Vjetori”, ku automjeti që drejtonte e reja italiane u përplas me një kamionçinë tip “Benz”. Si pasojë e përplasjes së fortë, mjeti doli nga rruga, duke shkaktuar pasoja fatale.

Drejtuesi i kamionçinës, shtetasi Ferdinand Hasani, 63 vjeç, humbi jetën në vendngjarje. Ndërkohë, pasagjeri i tij, shtetasi D. M., 47 vjeç, u transportua në gjendje të rëndë në spital, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Në njoftimin zyrtar, Policia e Vlorës bëri me dije se 28-vjeçarja italiane, me inicialet A. T., banuese në Napoli, është arrestuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Të Fundit