Shiti të njëjtin apartament disa herë, bie në pranga Sabri Shera. Historia e gjatë e denoncimeve në “Stop”

Pas denoncimeve te shumta ne emisionin Stop, per mashtrime diten e sotme eshte arrestuar Sabri Sherra.

Administratori i një firme ndërtimi është vënë në pranga në Tiranë. Operacioni për kapjen e tij u kodua “Kontrata false” dhe erdhi pas kallëzimeve të disa personave se ishin mashtruar nga ky person.

Nga hetimet rezultoi se Sabri Shera iu ka shitur disa personave të ndryshëm të njëjtat apartamente të një pallati të ndërtuar nga firma nën administrimin e tij.

“Në cilësinë e administratorit të firmës, shtetasi Sabri Shera ka përpiluar 2 ose më shumë kontrata shitjeje për të njëjtat apartamente. Nëpërmjet kësaj veprimtarie kriminale, ky shtetas ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, në 8 raste të ndryshme”, njoftoi policia.

Materialet hetimore i kaluan prokurorisë së Tiranës e cila do ta hetojë administratorin e firmës për veprat penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda dhe fshehje të të ardhurave.

Por kush është Sabri Shera?

Ndoshta ju duket emër i dëgjuar dhe ka një arsye se pse. Sabri Shera është denoncuar disa herë radhazi në emisionin investigativ “Stop”. Në një rast, administratori i firmës “AA Konstruksion” i bëri ofertë një qytetari se në vendin ku kishte shtëpinë do ndërtonte pallat dhe pas përfundimit të projektit do ta pajiste me një apartament.

Por fatkeqësisht nuk e gëzoi kurrë apartamentin e premtuar nga Shera. Ky i fundit jo vetëm që nuk iu përmbajt detyrimit ndaj pronarit të shtëpisë, por e shiti disa herë atë apartament.

Në Korrik të vitit 2023, policia procedoi penalisht Sabri Sherën teksa në redaksinë e emisionit “Stop” trokitën dëshmi të tjera se si ishin mashtruar nga ai.

Mbi Sherën nuk kishte vetëm denoncime nga qytetarë të dëmtuar, por edhe nga ish-partnerë të tij në biznes. Ai u denoncua sërish në “Stop” nga një shoqëri ndërtimi ku kishte qenë aksioner se kishte bërë kontrata pa miratimin e kompanisë edhe pasi kontrata e bashkëpunimit ishte revokuar.

Të Fundit