Dy persona janë vënë nën hetim nga pasi u kapën në flagrancë teksa shisnin lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe kapsolla) në rrugët e lagjeve “Emin Matraxhiu” dhe “Brigada 17 Sulmuese” në Elbasan.
Policia bën me dije se për këtë veprimtari të paligjshme materialet hetimore për 25-vjeçarin me inicialet Sh.B. dhe 44-vjeçarin L.T. tashmë janë dërguar në prokurori.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan-Patrullimet 24/7, gjatë ditëve festive, konstatojnë 2 raste të veprimtarisë së kundërligjshme, të shitjes në rrugë, të lëndëve piroteknike të kontrabanduara.
Procedohen penalisht 2 shtetas dhe sekuestrohen kuti me fishekëzjarrë dhe kapsolla.
Gjatë kontrolleve të vazhdueshme në terren, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, konstatuan se në rrugë, në lagjet “Emin Matraxhiu” dhe “Brigada 17 Sulmuese”, 2 shtetas shitnin lëndë piroteknike të dyshuara të kontrabanduara dhe se fshiheshin të ardhurat e përfituara nga ky biznes.
Për këto paligjshmëri, specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Personit të DVP Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për këta 2 shtetas, konkretisht: Sh. B., 25 vjeç dhe L. T., 44 vjeç, të dy banues në Elbasan. Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, disa kuti me fishekëzjarrë dhe kapsolla.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.