Tiranë, 29 tetor 2025 — Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur një ditë më parë në zonën e Komunës së Parisit, ku një punonjës vrau me thikë kolegun e tij gjatë orarit të punës në një restorant.
Autori i ngjarjes, F.Sh., 43 vjeç, punonte prej tre muajsh si ndihmës picier në restorant, ndërsa viktima, I.I, kishte pesë vite që ishte pjesë e lokalit dhe njihej si kryekuzhinier nga stafi.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, e gjithë skena e krimit ka ndodhur për më pak se një minutë, ndërsa momentet e ngjarjes janë fiksuar nga kamerat e sigurisë së restorantit.
“Jam ndjerë i ngacmuar gjithë kohës dhe nuk duroja dot”, ka thënë autori.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, F.Sh. ka pranuar autorësinë e krimit, duke pohuar se ishte ndjerë i fyer dhe i provokuar nga kolegu i tij.
“Jam ndjerë i ngacmuar gjithë kohës dhe nuk duroja dot. Kishim debate të vazhdueshme për punën, por edhe më ngacmonte. Viktima më tha: ‘Mos merrni këtë proshutë që është në frigorifer, merrni proshutë të re’. Ai shkoi të merrte proshutën e re dhe aty u zumë”, ka deklaruar 43-vjeçari.
Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se gjatë debatit verbal, viktima hap frigoriferin për të marrë një kuti proshute.
Në atë moment, pas një shkëmbimi fjalësh të ashpra, autori merr një thikë kuzhine dhe e godet tre here, një herë në qafë dhe dy herë në bark.
Ismaillari ka humbur jetën pak minuta më vonë, pavarësisht përpjekjeve të stafit për ta ndihmuar.
Stafi i restorantit, i marrë në pyetje nga policia, ka deklaruar se F.Sh ishte një person i mbyllur dhe i ftohtë, që rrallë komunikonte me kolegët.“Ishte tip që nuk fliste shumë, por punonte. Rrinte i vetëm”, ka thënë një nga punonjësit e tjerë.
Sipas burimeve, 43-vjeçari ishte larguar prej disa kohësh nga familja dhe jetonte vetëm në një banesë me qira në Tiranë.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe armën e krimit, ndërsa Filip Shehu ndodhet aktualisht në paraburgim, nën akuzën për “vrasje me dashje”.


