Policia ka arrestuar 2 të mitur lidhur me konfliktin e ndodhur një ditë më parë mes 5 adoleshentëve në bulevardin “Nënë Tereza” në Kamëz.
Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve, tha policia.
Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta.
Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta.