Sherr për pronat/ I vuri zjarrin banesës së hallës së tij, arrestohet 24-vjeçari në Vlorë

Një 24-vjeçar është arrestuar këtë të martë në Vlorë, pasi i vuri zjarrin banesës së hallës së tij pas një konflikti për motive të dobëta.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 15:30 në lagjen ‘Partizani’. Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve zjarrfikëse, u fik zjarri nga i cili u shkaktuan vetëm dëme materiale.

Njoftimi:

Vlorë/I vuri zjarrin banesës së hallës së tij, për motive të dobëta, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 24-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit për djegien e një banese, nisën menjëherë veprimet hetimore për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Nga veprimet e shpejta hetimore rezultoi se zjarri ishte i qëllimshëm. Në vijim, shërbimet e Policisë identifikuan nga pamjet filmike të siguruara nga vendngjarja dhe arrestuan autorin e dyshuar, shtetasin E. K., 24 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Ky shtetas dyshohet se më datë 08.07.2025, rreth orës 15:30, në lagjen “Partizani”, për motive të dobëta, ka ndezur qëllimisht zjarr në banesën e hallës së tij 56 vjeçe.

Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve zjarrfikëse, u fik zjarri nga i cili u shkaktuan vetëm dëme materiale. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit