Një konflikt banal për parkimin ka degjeneruar në përdorimin e armës në Rrugën e Dibrës në kryeqytet.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme, ku 32-vjeçari Franci Canaj, pas një konflikti për motive të dobëta, me 29-vjeçarin Gerald Hoxha, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të këtij të fundit.
29-vjeçari u plagos në këmbë dhe u transportua me urgjencë në spital ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.
Blutë e kryeqytetit po vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
“Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se në Rrugën e Dibrës ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. C., 32 vjeç, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin G. H., 29 vjeç, e ka qëlluar këtë të fundit në këmbë, me armë zjarri”, njofton policia.