Sherr mes policëve dhe një qytetari në Tiranë, nis hetimi disiplinor ndaj efektivëve

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka referuar në Prokurori materialet proceduriale në gjendje të lirë në ngarkim të 2 punonjësve të Policisë dhe një qytetari.

Bëhet fjalë për Rigers Iljazin, 33 vjeç, efektiv i FNSH, i dyshuar për ‘Kanosje”; Vladimir Laskën, 44 vjeç, efektiv i Forcës së Posaçme Operacionale, i dyshuar për ‘Kanosje” e “Dëmtime të tjera me dashje” si dhe qytetarin Marjus Iljazi, 33 vjeç, i dyshuar për “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Nga hetimet rezulton se punonjësi i policisë Vladimir Laska jashtë shërbimit, është konfliktuar e përplasur fizikisht, për motive të dobëta, së pari me shtetasin Marjus Iljazi, në një dyqan në rrugën “Nikolla Tupe”. Më pas në debat është përfshirë dhe punonjësi tjetër i Policisë, Rigers Iljazi, edhe ai jashtë shërbimit.

Me marrjen e njoftimit kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr. 2 Tiranë dhe forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar palët deri në përfundim të veprimeve të para hetimore.

Ndërkohë Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj dy efektivëve të Policisë.

 

Të Fundit