Një konflikt ka ndodhur mes kreut të Drejtorisë Rajonale të IKMT-së së Kukësit dhe një inspektori. Ky i fundit është vënë në pranga nga policia.
Çfarë ka ndodhur? Uniformat blu kanë njoftuar këtë të shtunë, më 12 dhjetor, se 46 vjeçari me inicialet D.H, banues në Kukës, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, u arrestua nën akuzat për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.
Arrestimi i tij u bë pas kallëzimit të drejtuesit të Drejtorisë Rajonale të IKMT-së, Kukës, shtetasit B. T., se është kanosur për shkak të detyrës nga shtetasi D. H., në lidhje me një aktkonstatimi për gërmimin e tokës në fshatin Krenzë, nga shtetasi M. L. Ky i fundit rezulton të jetë kushëri i të arrestuarit.
Pas incidentit, u procedua penalisht edhe personi që kishte kryer gërmimin e dheut në zonën e fshatit Krenzë, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”.



