Shënohet viktima e parë nga koronavirusi në Shqipëri. Ajo është e moshuara që rezultoi rasti i parë i infektuar në qytetin bregdetar të Durrësit, konfirmuar paraditen e djeshme.
Paraditen e sotme, burime për “Panorama” thanë se pacientja po mbahej e izoluar në Spitalin Rajonal të Durrësit, konkretisht në repartin e Infektivit nën kujdesin e stafit mjekësor. Këta të fundit, për shkak të gjendjes së saj të rënduar, menduan ta nisnin në Repartin e Infektivit në Tiranë, por ajo nuk e përballonte dot udhëtimin, ndaj e rifutën sërish në reanimacion, ku edhe ndërroi jetë.
Në fotot që ka siguruar gazetari i Panorama, shihet momenti kur stafi mjekësor e nxorri nga autoambulanca të moshuarën, e cila kishte që ditën e martë që nuk kishte urinuar dhe mësohet se veshkat e saj kishin dalë jashtë funksionit.
Pacientja kishte ditë që qëndronte në spital e shtruar me pneumoni.
75-vjeçarja kishte qëndruar për disa ditë me radhë në kontakt të vazhdueshëm jo vetëm me stafin mjekësor dhe pacientët e tjerë, por edhe me familjarë të ndryshëm që shkonin për të vizituar të afërmit e tyre në spital.
Në këto kushte, dyshohet se ajo ka infektuar edhe persona të tjerë nga stafi apo edhe pacientë e familjarë të tyre. Mësohet se 75-vjeçarja ishte kthyer pak ditë më parë nga Italia, ndërkohë që kishte marrë pjesë edhe në një ceremoni mortore te të afërmit e saj.