Shembja e maternitetit ‘’Mbretëresha Geraldinë’’, Kryemadhi: Kova e eskavatorit do u bjerë mbi kokën e tyre..

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur në njësinë nr.1 në Tiranë gjatë një takimi elektoral për shembjen tek materniteti ‘’Mbretëresha Geraldinë’’.

Kryemadhi thotë se akti është vepër e mafites pasi po shembet një godinë e cila ka histori dhe memorie emocionale. Ajo ka kërcënuar se kovën që ngritën mbi maternitetin, do u bjerë mbi kokën e tyre.

Jam e bindur që çdo grua, çdo nënë apo çdo baba që ka pritur fëmijët në atë maternitet po të kalojë në atë rrugë do të kthejë kokën dhe do të ndjejë një dhimbje.
Dhe në fakt që të jesh prind është një fat shumë i madh dhe për të qenë prind duhet të kesh bekimin e Zotit. Vetëm një njeri që nuk është prind ose që nuk e ndien veten si të tillë mund të rrënonte një godinë të tillë, që ndoshta për shumë arsye mund të ishte edhe objekt muze, sepse ne po shikojmë që po bëhen muze gropa plehrash, mbetjesh ekologjike, dhe nuk po bëhet muze një maternitet, që qoftë nga ana e arkitekturës, qoftë nga ana e historisë dhe e shumë lidhjeve të tjera që janë të rëndësishme, ajo shkatërrohet dhe rrënohet.

Pas këtij veprimi që ka ndodhur sigurisht që është mafia, sepse vetëm në një godinë të tillë mund të pastrohen paratë e drogës, paratë e plehrave, paratë e inceneratorëve të cilat vijnë nëpërmjet off-shoreve, por premtoj dhe kjo le të jetë në kuadrin e një premtimi të drejtpërdrejtë politik dhe personal për të gjithë ata mjekë gjinekologë dhe obstetër, për të gjithë ato mami dhe kryemami që kanë punuar, kanë jetuar, janë rropatur, për të gjitha ato nëna dhe fëmijë që kanë lindur atje, asaj gjëje do ti shkojmë deri në fund, që nga ana që e kanë transferuar nga Ministria e Shëndetësisë në objekt të Bashkisë dhe të gjitha gjërat me radhë, për ta rrënuar një godinë të tillë, që jo vetëm është godinë e historisë, është historia e Tiranës, por është edhe një memorie emocionale e të gjithë të rinjve dhe të rejave, e të gjithë burrave dhe grave të qytetit të Tiranës.
Dhe përfitoj nga rasti për t’ja bërë të qartë se ndoshta ata që kanë ngritur kovën e ekskavatorit për ta rrënuar atë godinë, mund të kenë qenë nën efekte të tjera, por të mos harrojnë që ajo kovë do të bjerë në kokën e tyre, sepse është rrënim jo vetëm i memories dhe historisë sonë, por është edhe memorie emocionale, sepse tashmë pasi e varfëruan dhe e grabitën këtë popull, pasi e c ‘nderuan, tani kërkojnë t’iu c ‘nderojnë memorien, emocionet dhe çdo gjë tjetër.
Prandaj them që e gjithë kjo urrejtje që rilindja ka për shqiptarët, pasi mbaroi te varfëria dhe nuk ka ku ti varfërojë më ata, shkatërroi pensionistët, mësuesit, mjekët, tani po shkatërron dhe memorien tonë dhe unë jam e bindur që edhe pse sot reagimi i qytetarëve është indiferent, më 25 prill nëpërmjet votës së tyre dhe shumë mjek e infermierë, apo edhe ish-mjekë apo ish-infermierë, ish-mami që kanë qenë socialistë dhe mund të ishin pak skeptikë, me shembjen e asaj godine i humbën përfundimisht.
Vetëm njerëzit që e kanë urryer atë godinë mund ta bënin këtë gjë, njerëz që për hir të së vërtetës nuk e kanë ndier asnjëherë kënaqësinë dhe emocionet e një nëne apo të një babai në atë godinë, sepse të rrënosh një maternitet, i cili nuk është me duralumin, por një godinë e ndërtuar nga një ekip i jashtëzakonshëm mjekësh, enkas për këtë punë.
Unë jam e bindur që pas 25 prillit LSI bashkë me të gjithë partnerët e tjerë politikë jo vetëm që do të angazhohen për rikthimin e Teatrit Kombëtar, Maternitetit e të shumë gjërave të tjera, por do të çojmë përpara drejtësisë të gjithë përgjegjësit për gjerat që i kanë rrëmbyer këtij qyteti dhe këtij populli.’’- tha Kryemadhi.

 

Të Fundit