Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së ka rezultuar e prekur me COVID-19.
Ky nuk është rasti i parë që një specialist i shëndetësisë infektohet nga virusi COVID-19. Në muajin Mars, Skënder Brataj, Drejtori i Urgjencës Kombëtare u infektua gjithashtu me COVID-19. Brataj u rikthye në krye të detyrës pas një periudhe 3 javore në karantinë.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bën të ditur se shefja e Epidemiologjisë pranë ISHP-së po merr mjekim në QSUT. Referuar informacioneve të dhëna nga mjekët, znj. Manastirliu shkruan në “Facebook” se gjendja e doktoreshë Silva Bino është e stabilizuar.
“I uroj shërim të shpejtë prof. Silva Binos, që po trajtohet me kujdes e profesionalizëm nga kolegët e saj në spitalin infektiv në QSUT. Mjekët konfirmojnë se gjendja e saj është e stabilizuar. Dr. Bino të presim të na bashkohesh sa më parë”, shkruan Manastirliu.
Deri tani në Shqipëri janë kryer 85.554 testime të dyshuara, prej të cilave 13259 kanë rezultuar pozitive, ndërsa 377 pacientë kanë humbur jetën. Pandemia e Covid-19 krahas pasojave sociale, ka patur një ndikim negativ edhe në fushën ekonomike.
Shumë biznese për shkak të masave kufizuese nuk kanë arritur të mbledhin të ardhura të mjaftueshme dhe kjo ka bërë që një pjesë e tyre të mbyllen.