Një shtetase ukrainase, e cila prej një viti punonte në një lokal në Durrës, tregon, se është dhunuar nga pronari i saj, Igli Çami, pasi ajo kërkoi pagesën e pagave të papaguara, pas largimit nga puna. Ngjarja ka ndodhur më 16 tetor 2025, dhe pas incidentit, ajo u shoqërua në komisariat, ku i thanë, të bënte ekspertizën mjeko-ligjore.Për një javë zonja nuk mundi ta realizojë ekspertizën, pasi mjeku ligjor Anton Samarxhi, nuk gjendej në vendin e punës. Pas ankesës së saj në emisionin “Stop”, mjeku Samarxhi tha, se i duhet të mbulojë Durrësin, Kavajën, Rrogozhinën dhe Tiranën, ndaj nuk mund të jetë gjithmonë në një qytet. Ai deklaroi se do të hartonte raportin bazuar në gjetjet e një jave më pas, kur dëmtimet ishin më pak të dukshme për shkak të kohës së kaluar.Një tjetër problem është edhe mosmarrja e pamjeve të kamerave të sigurisë nga lokali ku ndodhi dhuna. Oficeri i Policisë Gjyqësore Endri Dushi tha, se është me leje dhe këtë procedurë ia ka lënë porosi oficerit të zonës, por ky i fundit deklaroi, se nuk ishte njoftuar për asgjë.



