4 punonjës policie në Durrës janë pezulluar nga detyrë për shpërdorim detyre. Lajmi është bërë me dije përmes një njoftimi zyrtar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore.
Mes personave të shpallur në kërkim është dhe ish Shefi i sektorit pranë AMP Durrës, Kushtrim Selimi.
Sipas AMP, nga hetimet e kryera u siguruan prova se Selimi, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën si Shef sektori pranë AMP Durrës, duke shfrytëzuar atributet e pozicionit, ka zaptuar një sipërfaqe trualli, pronë shtetërore në lagjen “Kallm” të Durrësit, ku dhe ka ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme një vilë.
Selimi është ish punonjësi i AMP që pak kohë më parë u përfshi në skandalin e lajmeve të rreme dhe gjobëvenieve përmes portalit të tij.
Ai pasi u vetëdorëzua u la me masën e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur”. Sipas dyshimeve ai ka mundur të lagrohet nga Shqipëria pavarësisht se ndaj tij kishte masë sigurie.
Dyshohet se ka ikur drejt Anglisë.
Si bashkëppunëtorë të Selimit u pezulluan nga detyra dhe u caktuan masa sigurie dhe për 6 punonjës të tjerë të policisë si më poshtë:
Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës – Kavajë ka zbatuar Urdhërin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kërkuar nga Prokuroria në kuadër të procedimit penal të vitit 2024 për masat e sigurisë:
Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit K.S., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”, “Ndërtim i paligjshëm”, “Vjedhje e energjisë elektrike”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Masa e sigurimit personal “Arrest me burg” ndaj shtetasit E.V., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Shtetasi është shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit nuk është gjendur në banesë.
Masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj shtetases R.O., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “ Moskallëzim krimi”.
Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë E.P. me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës, i kryer në bashkëpunim”.
Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë S.S. me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.
Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë K.K. me detyrë Specialist i Rendit në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.
Masa e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” ndaj punonjësit të policisë A.J. me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Kommisariatit të Policisë Kavajë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim të detyrës i kryer në bashkëpunim”.